Kurti viziton ekspozitën `Orkidea` në Prizren në Ditën e Turqve të Kosovës

Kurti viziton ekspozitën `Orkidea` në Prizren në Ditën e Turqve të Kosovës

Me rastin e Ditës së Turqve në Kosovë, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot ekspozitën e shoqatës së grave “Orkidea”, e cila u organizua në hapësirat e Institutit “Yunus Emre” në Prizren.

Gjatë vizitës, kryeministri Kurti pati rastin të shoh nga afër punimet artistike të grave të përfshira në këtë ekspozitë dhe falënderoi kryetaren e shoqatës, Sevgi Kervan, për organizimin e kësaj ngjarje ku përfshihen vlera kulturore, krijimtari dhe frymë miqësie.

“Kjo ngjarje po mbahet me datën 23 prill, pra në Ditën Kombëtare të Turqve të Kosovës dhe nuk është vetëm festë, por njëkohësisht është edhe veprimtari, është edhe krijimtari, ku është elementi i dashamirësisë e i miqësisë, por edhe ai i estetikës, pra i bukurisë”, u shpreh kryeministri.

“Kur i shohim bashkë flamujt e dy shteteve tona, Republikës së Turqisë dhe Republikës së Kosovës, krah njëri-tjetrit, natyrisht që simbolizon miqësinë, partneritetin dhe aleancën e fuqishme që kanë Prishtina me Ankaranë, Prizreni me Stambollin dhe Republika e Kosovës me Republikën e Turqisë”, tha Kurti, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, raporton rtk.

Share This