Kurti vizitoi Dragashin pas vërshimeve: Qeveria do të jetë pranë jush
Pas kthimit në Kosovë nga Brukseli, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Komunën e Dragashit, e cila dje është përballur me vërshime të mëdha të shkaktuara nga reshjet e shiut.
Qeveria ka njoftuar se me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në takimin e zhvilluar me kryetarin e Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, kryeministri Kurti i ka falënderuar institucionet lokale për angazhimin e tyre dhe ka ofruar ndihmë të institucioneve qendrore për tejkalimin dhe rimëkëmbjen nga dëmet e shkaktuara, për të cilat do të ketë vlerësim nga komisioni përkatës.
“Qeveria do të jetë pranë jush dhe pranë qytetarëve”, është shprehur Kurti, raporton rtk.
Sipas njoftimit, kryetari Xheladini e ka njoftuar kryeministrin për situatën në terren dhe për dëmet e evidentuara në infrastrukturë, për të cilat ka thënë se ka nevojë për ndërhyrje urgjente. Ai i ka falënderuar kryeministrin Kurti dhe ministrin Krasniqi për vizitën, bashkëpunimin dhe komunikimin e rregullt.
Pas këtij takimi, ata kanë vizituar zonat e prekura nga vërshimet e djeshme të shkaktuara nga reshjet e shiut.