Kurti: Trashëgimia ushtarake, politike dhe artistike e Agim Ramadanit vazhdon ende të na befasojë

Kurti: Trashëgimia ushtarake, politike dhe artistike e Agim Ramadanit vazhdon ende të na befasojë

Organizuar nga Shoqata Kulturore “Ditët e Agimit”, dhe nën përkujdesjen e Komunës së Gjilanit, sot u mbajt manifestimi tradicional “Ditët e Agimit”, për nder të jetës dhe veprës së heroit Agim Ramadani, ngjarje kjo në të cilën mori pjesë Kryeministri në dorëheqje i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Për heroin Agim Ramadani, Kurti theksoi se është ndër dëshmorët e rënë në luftën çlirimtare të popullit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, teksa shtoi se dëshmorët e kombit nuk janë të përjetësuar në kujtesën tonë kolektive dhe në historinë e Kosovës vetëm për shkak të aktit të tyre të rënies, por edhe për aktivitetet e tyre sa ishin gjallë, angazhimit dhe veprës së tyre në totalitetin e saj.

“Agim Ramadani është me profilin më të gjithanshëm: trashëgimia ushtarake, politike dhe artistike e të cilit vazhdon ende të na befasojë, teksa shohim fotografitë, poezitë, pikturat dhe dorëshkrimet e tij. Agim Ramadani ishte pra, poet, piktor, aktivist politik, strateg ushtarak, si dhe një patriot me shpirt artisti e fort frymëzues edhe për gjeneratat e sotme sikurse për shoqërinë e tij dikur”, tha kryeministri.

Në tubimin qendror “I këndojmë Agimit”, në fjalën e tij, kryeministri në detyrë, Kurti shtoi se të tilla manifestime ua zgjasin jetën kujtimeve me nderime dhe mirënjohje jetës së dëshmorëve të lirisë dhe i forcojnë lidhjet e këtyre kujtimeve nga njëri brez në tjetrin.

“Sepse duke i kujtuar dëshmorët mes të gjallësh se si ishin ata, sa ishin të gjallë, i mbajmë të gjalla kujtimet tona për ta dhe shembullin e tyre për ne. Ju dëshiroj një pasdite çlodhëse dhe një mbrëmje të këndshme sonte, në këto ditë të hershme të pranverës së sivjetme, dhe ju përgëzoj për mirëmbajtjen e manifestimeve “Ditët e Agimit’”, tha ai.

Share This