Kurti thotë se për katër vite miratuan 319 projektligje e 2181 vendime

Kurti thotë se për katër vite miratuan 319 projektligje e 2181 vendime

Kryeministri vendit, Albin Kurti, pas mbledhjes së 247 të Qeverisë ka nxjerrë bilancin e vendimeve e projektligjeve që u miratuan nga ekzekutivi përgjatë mandatit katër vjeçar. Siç ka bërë të ditur shefi qeveritar, në këto katër vite u miratuan 319 projektligje e 2181 vendime.

“Muajin e parë të vitit po e përmbyllim me mbledhjen 247 të Qeverisë, gjersa gjatë këtij mandati kemi patur mbledhje qeveritare edhe më shpesh se sa një herë në gjashtë ditë kalendarike. Gjithsej 319 projektligje i kemi miratuar në këto katër vite të qeverisjes sonë, e bashkë me 20 vendimet e aprovuara sot, arritëm një total prej 2181 vendimesh të marra që nga fillimi i mandatit”, shkroi Kurti, raporton rtk.

Ai ka përmendur edhe vendimet e sotme ku u miratua kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesë të 224 specializantëve me vetëfinancim në vlerë prej 2.3 milionë euro, krahas vazhdimit të përkrahjes edhe për 30 specializantë nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi, në vlerë prej 316 mijë euro.

Në këtë mbledhje gjysmë milioni u ndanë edhe për Gaza.

“Ndamë dhe gjysmë milioni euro ndihmë humanitare për popullin palestinez në Gaza, gjersa si qeveri e përshëndesim marrëveshjen e armëpushimit të arritur së fundmi dhe urojmë e bëjmë thirrje që ky armëpushim i përkohshëm të shfrytëzohet për arritjen e paqes së qëndrueshme”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Share This