Kurti: Telekomin e nxorëm nga humnera dhe po e udhëheqim drejt zhvillimit
Në mbledhjen e Qeveris, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Telekomi i Kosovës çdo ditë po i modernizon shërbimet e për këtë meritat ia ka lënë Qeverisë që udhëheq.
Kryeministri Kurti ka thënë se me mbështetjen që i kanë dhënë kësaj kompanie publike arritën ta nxjerrin nga humnera e ta udhëheqin drejt zhvillimit.
“Zhvillimi i sektorit të komunikimeve elektroteknike po merr hov të ri. Në shkallë regjioni, Kosova ka shtrirjen më të madhe të internetit në amvisëri dhe biznese. Duke e mbështetur me kredi, operatorin publik e nxorëm nga humnera dhe po e udhëheqim drejt zhvillimit. Telekomi i Kosovës në partneritet me gjigantët teknologjikë nga Suedia e Kroacia po i modernizon shërbimet 4G dhe 5G në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë mund të shihni njoftimet nga Telekomi për modernizimin e shërbimeve të Valës në të gjitha komunat, përfshirë ato veriore si rezultat i investimeve të cilat po bëhen”, ka theksuar Kurti.
Sipas tij, zhvillimi i Telekomit ka prodhuar efekte pozitive edhe në sektorin privat.
“Operatori privat po e zgjeron rrjetin. Nga kjo konkurrencë përfitojnë qytetarët dhe bizneset”, ka deklaruar ai.
Kurti bëri të ditur se janë në proces të blerjes së objekteve të ambasadave në Itali, Turqi e Kanada.
“Dje përuruam objektin e ri të Konsullatës tonë në Strasburg, që tashmë është pronë e shtetit dhe shtëpi e përhershme e Republikë sonë. Pra, po vazhdojmë me blerjen e objekteve të ambasadave tona në shtetet kyçe për shërbimin tonë diplomatik. Pas blerjes së objektit të Ambasadës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Mbretërinë e Bashkuar, në Kroaci, Senegal dhe tash në Strasburg të Francës, në proces të blerjes janë objektet e ambasadave në Itali, Turqi, Francë, Gjermani dhe Kanada”, ka theksuar Kurti, raporton rtk.