Kurti s’lodhet për vendimin e Gjykatës, nesër në ora 10:00 s’shkon në Prokurorinë Speciale, por në Gjilan në gurëthemelin e një çerdheje

Kurti s’lodhet për vendimin e Gjykatës, nesër në ora 10:00 s’shkon në Prokurorinë Speciale, por në Gjilan në gurëthemelin e një çerdheje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me urdhër të Gjykatës Themelore të Prishtinës duhet të paraqitet në Prokurorinë Speciale për intervistim.

Por, në bazë të një njoftimi të Ministrisë së Arsimit, duket se edhe kësaj radhe Kryeministri Kurti s’do t’i përgjigjet kësaj thirrjeje, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ai po në ora 10:00, kur dhe i duhet të paraqitet në Prokurorinë Speciale si dëshmitar, me urdhër të Themelores, Kryeministri po në atë kohë do të jetë në Gjilan bashkë me Ministren Arbërie Nagavci për vendosjen e gurëthemelit të një çerdheje të re atje.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni do të vendosin gurëthemelin e çerdhes së re në Gjilan. Vendosja e gurëthemelit bëhet nesër, më 04 mars 2025, në ora 10:00, në agjen “Livadhet e Arapit” në Gjilan”, thuhet në njoftimin e MAShT-it.

Të premten e 28 shkurtit, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi konfirmoi për Gazetën Online Reporteri.net se Kryeministri Kurti Kurti do të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit, lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore më 4 mars.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K. që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi për Reporteri.net.

Në anën tjetër, Zyra e Kryeministrit, ka kërkuar nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit, duke thënë se duhet të merret parasysh “agjenda e tij është e ngjeshur”.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu në përgjigjen e publikuar në Facebook javën e kaluar, thuhet se “Kurti ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e tij”. ZKM tutje ka thënë se ka dyshime të forta se kjo thirrje ka motiv politik, e jo ligjor.

Qeveria e Kosovës pranoi ftesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për intervistim të Kurtit më 12 dhjetor. Kryeziu e cilësoi si tentim ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve 2025.

Në thirrjen e Prokurorisë Speciale thuhej se Kryeministri Kurti duhet të paraqitet për intervistim të hënën e 16 dhjetorit në ora 09:30. Mirëpo, ai nuk u paraqit për intervistim. Madje ka kërkuar nga Prokuroria që ta intervistojë në zyrën e tij, e kishte ofruar edhe dy data për këtë.

Kurti, i ftuar në cilësinë e dëshmitarit, do të intervisohet për skandalin me Rezervat Shtetërore dhe se vepra penale për të cilën është ftuar hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Neni 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”./Reporteri.net/

Share This