Kurti: Siguria në veri është përmirësuar, Serbia ka humbur ndikimin

Kurti: Siguria në veri është përmirësuar, Serbia ka humbur ndikimin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se siguria nacionale në Republikën e Kosovës është përmirësuar ndjeshëm falë bashkërendimit institucional dhe veprimeve të organeve të inteligjencës, sigurisë dhe drejtësisë.

“Sipas masave dhe veprimeve të ndërmarra, siguria është përforcuar në vazhdimësi përgjatë viteve të fundit, veçanërisht në katër komunat në veri ku problemet e sigurisë ishin më të theksuara,” deklaroi Kurti.

Ai theksoi se “veriu i Kosovës nga një regjion me prani jo vetëm të terroristëve dhe kriminelëve serbë, por edhe një nga lokacionet më proruse, tashmë është stabilizuar dukshëm.”

Kurti përmendi një sërë masash që kanë ndikuar në këtë përmirësim të gjendjes, përfshirë largimin e barrikadave, luftimin e kontrabandës dhe mbylljen e rrugëve ilegale, si dhe shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste.

“Reduktimi i kapaciteteve destabilizuese të Serbisë në Kosovë, përmirësimi i situatës së sigurisë dhe sundimi i rendit dhe ligjit kanë ndikuar në një ambient më të sigurt, jo vetëm në katër komunat veriore, por edhe në vendbanimet tjera me shumicë serbe,” theksoi Kurti, raporton rtk.

Ai shtoi se Serbia ka humbur forcën destabilizuese që kishte më parë: “Nuk ka më mekanizma të fortë kërcënues brenda Kosovës.”

Në deklaratën e tij, Kurti nënvizoi gjithashtu arrestimin e bashkëpunëtorëve të shërbimeve serbe të inteligjencës, luftën kundër ekstremizmit dhe ndikimin e ulët të Rusisë, Kinës dhe Iranit në Kosovë. Ai përmendi gjithashtu avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe inteligjencës, si dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e sigurisë.

“Institucionet relevante kanë shtuar bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve në kundërvënie ndaj luftës hibride nga Serbia dhe Rusia,” deklaroi Kurti.

Share This