
Kurti: Siguria, kryefjala e Konferencës në Munih
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, mori pjesë në edicionin e 61-të të Konferencës së Sigurisë në Munih, ku zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme me liderë dhe përfaqësues të lartë ndërkombëtarë.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se gjatë tre ditëve në Munih “siguria ishte kryefjala, madje edhe kur nuk përmendej”.
“Me Gjenerallejtënantin amerikan Michael Fenzen theksuam gatishmërinë e përfshirjes së Kosovës në nisma globale të udhëhequra e të koordinuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me kryeministren e Islandës, Kristrún Frostadóttir diskutuam për përfitimet e dyanshme nga Marrëveshja për Tregti të Lirë e Kosovës me shtetet anëtare të EFTA-s, të cilën e nënshkruam në janar. Me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan folëm për marrëdhënie bilaterale të forta dhe bashkëpunimin e afërt, veçanërisht në fushën e mbrojtjes. Me ministrin e Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anušić shqyrtuam mundësi të reja të partneritetit në mbrojtje dhe veçanërisht bashkëpunim në fushën e industrisë ushtarake. Ndërkaq në takim me ministrin e Financave të Gjermanisë, Jörg Kukies veçuam rëndësinë e shtimit të shkëmbimeve tregtare dhe investimeve të huaja direkte nga Gjermania krahas marrëdhënieve të forta bilaterale në siguri e mbrojtje”, ka shkruar Kurti, raporton rtk.
Ai më tej ka përmendur edhe bashkëbisedimet me emisarin e ri të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, kryetaren e Grupit të Miqësisë Kosovë-Finlandë në parlamentin finlandez, Tytti Tuppurainen dhe Drejtorin Ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebraik, Ted Deutch.
“E ndërmjet takimeve, patëm edhe më shumë diskutime e shkëmbime me liderë të tjerë e miq të shumtë në hollet e Hotelit Bayerischer Hof, në darkën e shtruar nga Kancelaria e shtetit të Bavarisë, drekën e shtruar për Ukrainën, tryezën e diskutimit për taktikat hibride ruse në Evropë e në drekën e punës të organizuar nga Këshilli Atlantik”, ka shtuar Kurti.