Kurti: Serbia ndikoi në përzgjedhjen e deputetëve serbë në Kosovë. Ata janë në kontrollin e plotë të Vuçiqit

Kurti: Serbia ndikoi në përzgjedhjen e deputetëve serbë në Kosovë. Ata janë në kontrollin e plotë të Vuçiqit

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri Nenad Rashiq kanë mbajtur sot konferencë për medie, në të cilën kanë folur ndërhyrjet e Serbisë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Ai ka thënë se Serbia ka ndikuar në përzgjedhjen e deputetëve serbë dhe të pakicave joserbe, të cilët janë në kontrollin e plotë të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të qeverisë, të inteligjencës dhe të krimit të organizuar atje, raporton “Epoka e re”.

“Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet tona parlamentare është një cenim që i bëhet demokracisë dhe sovranitetit të Kosovës. Ajo ka ndikuar në përzgjedhjen e deputetëve serbë dhe të pakicave joserbe, të cilët janë në kontrollin e plotë të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të qeverisë, të inteligjencës dhe të krimit të organizuar atje. Kësisoj Serbia orvatet që vendin tonë ta mbajë peng jo vetëm në zhvillimin e brendshëm politik por edhe në avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare”, ka thënë Kurti në konferencën për media.

Ai ka thënë se në zgjedhjet e fundit format e ndërhyrjes kanë ndryshuar për shkak të përmirësimit të dukshëm të sigurisë në katër komunat veriore, si rezultat i rendit dhe sundimit të ligjit.

“Luftimit të suksesshëm të grupeve kriminale dhe terroriste, si dhe mbylljes së strukturave ilegale. Ndikimi i dikurshëm brutal, fizik, përfshirë këtu edhe rrahjet dhe vrasjet nuk ka qenë i mundur më. Si zëvendësim janë rritur format tjera të kërcënimeve hibride, kryesisht joshja dhe financimi financiar. Shantazhi e frikësimet e kërcënimet, por edhe sulmet kibernetike”, ka thënë Kurti.

Kurti përmendi gjithashtu se Serbia ka përdorur një gamë të gjerë metodash për të penguar zgjedhjet, duke përfshirë kushtëzime financiare, shantazhe dhe manipulime të votuesve.

“Janë përdorur të paktën dhjetë metoda: joshja financiare përmes përfitimit dhe mbështetjes financiare prej 20 mijë dinarësh apo rreth 170 euro në baza mujore për të gjithë personat e moshës madhore që janë të papunë. E dyta: kushtëzimi financiar përmes rrezikimit të humbjes së benificioneve financiare ku bëjnë pjesë pagat, pensionet, shtesat për fëmijë etj E treta: përçarja e rivalëve të Listës Serbe, e katërta: shantazhi e presioni për të mos mbështetur në asnjë formë subjektet tjera përveç Listës Serbe. E pesta: kërcënimi për t’u larguar nga këshillat e vendvotimeve, e gjashta: regjistrimi i të ashtuquajturve votues të sigurtë. E shtata: transporti i organizuar i votuesve nga Serbia në Kosovë, e teta: organizimi i votimit kolektiv në qendra votimi, e nënta: kontrollimi i votuesve në ditën e zgjedhjeve në afërsi të qendrave të votimit dhe e dhjeta është shenjëzimi i fletëvotimeve”, tha Kurti.

Share This