Kurti-Sarazinit: Kosova është angazhuar plotësisht në Procesin e Berlinit
Zyra e Kryeministris ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti gjatë takimit të së enjtes me përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka theksuar se gjatë kohës kur në rajon shtyheshin platforma paralele, Kosova është angazhuar plotësisht në Procesin e Berlinit.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se në takim u bisedua për progresin në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit, bashkëpunimin rajonal dhe pritjet nga samiti i radhës që në 10-vjetorin e tij do të mbahet në Berlin.
“Kryeministri theksoi që në kohën kur në rajon shtyheshin platforma të tjera paralele, Kosova është angazhuar plotësisht në Procesin e Berlinit duke kërkuar ri-energjizimin dhe fuqizimin e tij si një platformë që ofron barazi dhe përshpejton procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për vendet që duan të anëtarësohen”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet rëndësia që para samitit të radhës të arrihen jo vetëm marrëveshje të reja, por edhe të sigurohet zbatimi i marrëveshjeve që tashmë janë të nënshkruara.
“Është e rëndësishme që para samitit të radhës të arrijmë jo vetëm marrëveshje të reja por edhe të sigurojmë zbatimin e marrëveshjeve që tashmë kemi nënshkruar, tha Kryeministri dhe e falënderoi z. Sarrazin për kontributin dhe rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe në avancimin e bashkëpunimit rajonal”, thuhet në njoftim, raporton rtk.