Kurti pjesëmarrësve të Olimpiadës: E gjithë Kosova është me ju
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili foli për ekipin olimpik të Kosovës në ceremoninë e dorëzimit të flamurit nga presidentja Vjosa Osmani, tha se arritjet e secilit prej sportistëve tanë e ka lakmi secili shtet, anë e mbanë botës, derisa shtoi se përfaqësimi i Republikës së Kosovës është përgjegjësi që kërkon përqendrim profesional dhe atdhedashuri njerëzore.
Tutje ai tha se sportistët, të gjithë së bashku, përfaqësojnë ëndrrat dhe shpresat e Kosovës, dhe se janë shembull i asaj që mund të arrihet me punë të palodhshme, disiplinë dhe besim ne vetvete.
Kurti më tej para sportistëve theksoi se se rruga drejt Parisit nuk është e lehtë, por se e kanë dëshmuar se kur jemi bashkë, jemi të gatshëm të përballojmë çdo sfidë që del përpara.
“Pjesëmarrja e juaj tregon përkushtim për ta përfaqësuar Kosovën, jemi të sigurt se do të bëni më të mirën tuaj. Sot derisa ju dorëzojmë flamurin, bashkë më të ju bartim krenarinë, besimin dhe mbështetjen e pa kusht të gjithë popullit të Kosovës”, tha Kurti, raporton rtk.
Ai u tha sportistëve se kur të dalin në fushën e lojës, në Paris, e gjithë Kosova është me ta.
“E gjithë Kosova është me ju, mos harroni se çdo hap që bëni, çdo fitore që arrini, është një fitore për të gjithë ne. Ju uroj shumë suksese dhe fat në çdo garë, secilit e secilës prej jush. Na prift e mbara në Paris”, tha Kurti.
Ky ekip do të udhëtojë këtë muaj në Paris të Francës ku do të zhvillohet edicioni i radhës i Lojërave Olimpike. Këto lojëra do të fillojnë më 26 korrik dhe do të vijojnë deri më 11 gusht.