
Kurti për takimin Putin-Porfirije: Partneritet që vendos rajonin në rrezik
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj takimit të mbajtur në Moskë ndërmjet Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe dhe presidentit rus, Vladimir Putin. Kurti e ka cilësuar këtë takim si një “zhvillim shqetësues”, që përçon mesazhe politike me pasoja të rënda për stabilitetin në rajon.
Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, ka njoftuar se gjatë bisedave me presidentin rus Vladimir Putin, e ka theksuar “rëndësinë e mbështetjes së Rusisë për pozitat e Serbisë, veçanërisht në lidhje me Kosovën, Republikën Srpska dhe Malin e Zi. Ai ka shprehur mirënjohjen për qëndrimin e Rusisë ndaj Kosovës dhe ka thënë se populli serb e sheh popullin rus si të vetin.
“Pozita jonë për Kosovën, Republikën Srpska dhe Malin e Zi, besoj dhe ndjej se varet gjithashtu nga pozita e shtetit rus, Federatës Ruse në nivel global,” ka thënë Patriarku.
Kurti, në një shkrim në X ka ndarë pjesë nga diskutimet e Porfirijes me Putinin dhe ka thënë se diskutimet e tij nuk janë diplomaci fetare, por partneritet që rrezikon rajonin.
“Patriarku bëri thirrje për një riorganizim më të gjerë gjeopolitik nën udhëheqjen ruse duke theksuar se ‘anija e vogël (serbe) që lundron në det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur me një anije të madhe ruse. Ai po ashtu sugjeroi se qëndrimi i Serbisë ndaj fqinjëve të saj – Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi – varet nga pozicioni botëror i Rusisë. Kjo nuk është diplomaci religjioze, por partneritet strategjik i regjimeve autoritare, që e vendos rajonin në një rrezik serioz”, ka shkruar Kurti, raporton rtk.
Kurti ka theksuar se Kosova qëndron në parimet dhe aspiratat demokratike dhe i refuzon agjendat e drejtuara nga fuqitë autoritare.