Kurti nga korrje-shirjet: Djerrina me gurë janë bërë ara me grurë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë më Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe Zëvendësministrin Imri Demelezi, panë nga afër korrje-shirjen e grurit të fermerit Asman Kryeziu, në Bubavec të Malishevës.
Siç ka njoftuar qeveria, teksa vlerësoi punën e fermerit, përmes të cilit djerrina me gurë janë bërë tashmë arë me grurë, kryeministri theksoi se kjo është edhe në funksion të programit tonë që bukën e motmotit ta kemi tonën, pra buka jonë, në sofrën tonë, nga toka jonë.
Ai theksoi se buxheti për Ministrinë e Bujqësisë është rreth 100 milionë euro, mbështetje e cila mundëson subvencionime e lehtësira për fermerët tanë.
“Buxheti për Ministrinë e Bujqësisë është rreth 100 milionë euro, siç edhe kemi premtuar, dhe tash në njërën anë subvencionojmë edhe naftën, edhe plehun, edhe rendimentin me katër cent, këtë të fundit për kilogram, e në anën tjetër edhe i kemi zvogëluar jashtëzakonisht shumë dokumentet që i nevojiten bujkut tonë për të aplikuar për subvencione”, u shpreh kryeministri Kurti, thuhet në komunikatën e qeverisë, raporton rtk.
Në përfundim, kryeministri Kurti tha se me prodhimtarinë e shtuar prej 140 mijë deri në 150 mijë ton grurë, do ta mbulojmë e tejkalojmë importin që e kemi patur prej 139 mijë ton grurë në vitin e kaluar, si dhe ritheksoi përkushtimin e Qeverisë për mbështetjen e bujqve anembanë Kosovës.