Kurti në takim me Anushiq: Kosova e Kroacia vende mike

Kurti në takim me Anushiq: Kosova e Kroacia vende mike

Në ditën e dytë të pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Munih, kryeministri në detyrë Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zhvilloi takim me ministrin kroat të Mbrojtjes, Ivan Anushiq.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, krahas marrëdhënieve bilaterale, bashkërendimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit të deritanishëm në fushën e mbrojtjes, ata diskutuan rreth mundësive të reja për bashkëpunim në fushën e industrisë së mbrojtjes.

“Kryeministri falënderoi shtetin kroat dhe ministrin Anushiq për raportet e shkëlqyera dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës. Ai u shpreh se me Kroacinë ndajmë vlerat dhe këndvështrimin mbi situatën gjeopolitike si dhe pajtohemi për historinë, dhe se Kosova dhe Kroacia janë vende mike, partnere dhe aleate”, thuhet në njoftim, raporton rtk.

Kryeministri gjithashtu e falënderoi ministrin Anushiq për marrëveshjen në mes dy ministrive të Mbrojtjes për trajnimin dhe edukimin e kadetëve në Akademinë Ushtarake “Dr. Franjo Tuxhman”.

Share This