“Kurti në përkrahje të Harrisit’, Grenelli: Një lëvizje e pamatur nga ana e Kurtit, kjo dëmton popullin e Kosovës
Richard Grenell, diplomat që ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i Shteteve të Bashkuara (ShBA) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump, ka kritikuar pjesëmarrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Konventën Kombëtare të Partisë Demokratike në Çikago të ShBA-së.
Grenell nëpërmjet një postimi në platformën “X”, ka paralajmëruar pasoja për popullin e Kosovës, posaçërisht sa i përket mbështetjes së hapur të kreut të ekzekutivit kosovar për nënpresidenten aktuale amerikane, Kamala Harris, njëherësh e nominuar e demokratëve në garën presidenciale të nëntorit kundër ish-presidentit Trump.
“Që lideri i Kosovës të zgjedhë hapur demokratët është një lëvizje e pamatur nga ana e Kurtit… Përveç ndërhyrjes në zgjedhjet amerikane, mbështetja e Kurtit për Harrisin në Konventën e Demokratëve dëmton popullin e Kosovës”, ka shkruar Grenelli.