Kurti në darkën e punës ia renditë kërkesat Kallasit

Kurti në darkën e punës ia renditë kërkesat Kallasit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, si nikoqir i darkës së punës që pati me mysafiren e lartë nga Bashkimi Evropian, Kaja Kallas që për herë të parë e vizitoi Kosovën, i kërkoi që masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës të hiqen plotësisht, dhe se Kosova duhet të marrë statusin kandidat si demokracia më e avancuar e Ballkanit Perëndimor.

“Kurti e falënderoi znj. Kallas për njoftimin se BE ka nisur largimin gradual të masave kufizuese ndaj Kosovës dhe përpjekjet e saj në këtë drejtim, teksa shtoi se ato duhet të hiqen plotësisht dhe theksoi që Kosova duhet të marrë statusin kandidat si demokracia më e avancuar e Ballkanit Perëndimor’, thuhet në njoftimin e zyrës kryeministrore për bisedat që kanë pasur Kurti e Kallas gjatë darkës së punës mbrëmë.

Kur gjatë kësaj darke është diskutuar për dialogun me Serbinë, siç bëhet e ditur nga kryeministria, shefi në detyrë i qeverisë ka theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

Kurti i ka thënë Kallasit se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist dhe paramilitar në Banjskë. “Dhe se kryeterroristi Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, duhet t’i dorëzohet Kosovës”, citohet t’i ketë thënë Kurti Kallasit.

Bëhet e ditur se kryeministri Kurti gjithashtu ka ngritur çështjen e shkeljeve të vazhdueshme dhe të rënda të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nga shteti i Serbisë, duke i kërkuar BE-ja të bëjë veprime konkrete për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të luginës.

Bashkë kanë diskutuar edhe për procesin paszgjedhor në vend dhe angazhimet për formimin e institucioneve të legjislaturës së nëntë.

Sikurse që thuhet se bisedë patën edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, agjendën e reformave evropiane dhe Planin e Rritjes.

“Kryeministri theksoi se vendi ynë, krahas linjëzimit të politikës së jashtme me atë të Bashkimit Evropian, ka bërë progres të konsiderueshëm në reforma të brendshme, dhe se kjo evidentohet dhe dëshmohet edhe në raportet e vendit të BE-së”, thuhet në njoftim. /rtk/

Share This