Kurti në Çikago: Mërgata ka rol të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik

Kurti në Çikago: Mërgata ka rol të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik

Pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Albin Kurti u takua me mërgatën tonë në Çikago.

Sipas komunikatës së zyrës së kryeministrisë, Kurti para komunitetit shqiptar në Çikago përmendi dyfishimin e eksporteve vendore dhe investimeve të huaja, forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe objektivat e mëtutjeshme.

“Ndër to, u veçua vëmendja në sektorë si teknologjia e informacionit, por edhe sektori i energjisë dhe tranzicioni drejt energjisë së ripërtërishme. U përmendën bursat për gratë dhe vajzat që studiojnë në fushat STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë); por edhe ankandi i parë i zhvilluar në vend për ndërtimin e centralit solar prej 100 megavatëve, në të cilin doli fitues një konzorcium me kompani nga Zvicra e Gjermania dhe diaspora jonë”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti po ashtu theksoi se progresi demokratik dhe ekonomik ka ndikuar në kthimin e Kosovës në një vend tërheqës për sjelljen e investimeve, e ku sipas tij edhe diaspora ka më shumë mundësi për të kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit.

“Duke i falënderuar për takimin, bisedën dhe idetë e shkëmbyera, kryeministri Kurti theksoi se mërgata luan një rol të rëndësishëm në planet tona për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, thuhet tutje në njoftim, raporton rtk.

Share This