Kurti: Na pikëlloi lajmi për ndarjen nga jeta të gazetares ukrainase, Olha Priadko
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka shkruar për gazetaren nga Ukraina, Olha Priadko, e cila ndërroi jetë sot në Prishtinë, ku po strehohej për gati dy vite si refugjate nga lufta në Ukrainë.
Kurti ka shkruar se Priadko ishte një gazetare profesioniste.
“Na pikëlloi lajmi për ndarjen nga jeta të gazetares ukrainase Olha Priadko. Olha dhe i biri i saj, Yaroslav, gjetën strehim në Kosovë nga viti 2023, për t’i shpëtuar tragjedisë së luftës në Ukrainë. Ajo ishte gazetare profesioniste dhe nënë e përkushtuar, që mbarte me vete forcën dhe kurajën që vetëm ata që kalojnë vuajtje të tilla mund ta kuptojnë. Si pjesë e gazetarëve ukrainas të cilët jetojnë dhe veprojnë në Kosovë përmes programit ‘Gazetarët në Rezidencë’ (JiR), të mbështetur nga Qeveria, ajo ndërtoi një jetë të re këtu mes nesh. Në këtë ditë plot dhimbje, me mendje dhe zemër jemi pranë Yaroslavit të vogël, familjarëve e miqve të Olhës”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.