Kurti merr pjesë në hapjen e “3×3 Prishtina”, 20 shtete pjesëmarrëse
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen zyrtare të ngjarjes “3×3 Prishtina” në basketboll. Për katër ditë radhazi, sheshi “Zahir Pajaziti“ në Prishtinë do të jetë arenë e ndeshjeve ndërkombëtare në 3×3 për burra dhe gra.
“Shumë të dashur të pranishëm që jeni mbledhur këtu në qendër të Prishtinës për të mbështetur ekipet tona të basketbollit 3×3, po e hapim një tjetër edicion të turneut 3×3 Women’s Series dhe të 3×3 Challenger Prishtina, organizime këto që tashmë i kemi shndërruar në tradicionale për vendin tonë, për shkak se përafërsisht para saktësisht një viti kemi qenë në të njëjtin vend bashkë.” u shpreh kryeministri Kurti, raporton rtk.
Ai shtoi se përmes këtyre eventeve, po dëshmohemi se jemi shtet i cili di të organizojë ngjarje sportive ndërkombëtare, që dimë të mirëpresim sportistë mysafirë, dhe ta duam e të jetojmë me sportin.
“Termi i “3×3” përshkruan edhe neve si shtet por edhe këto momente në të cilat me ministrinë tonë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, jemi të përqendruar në tri drejtime. E para është me sportistët tanë më të mirë që tashmë janë nisur drejt Lojërave Olimpike Paris 2024 e atje me synime të qarta për medalje. E dyta, me angazhimet tona për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, përgatitjet për të cilën tashmë kanë filluar. Dhe e treta, po vazhdojmë të jemi nikoqir të ngjarjeve të rëndësishme sikurse kjo e sotmja, pra ngjarje ndërkombëtare sportive”, vijoi fjalën e tij kryeministri.
Në kuadër të kësaj ngjarjeje ndërkombëtare sportive ku po marrin pjesë 24 ekipe prej 20 shteteve, do të ketë dhe aktivitete e lojëra të ndryshme përcjellëse. Këto evente po organizohen nga klubi 3×3 Prishtina, në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Prezente në hapjen zyrtare ishte dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.