Kurti letër Abdixhikut: Jemi të interesuar për koalicion me LDK-në

Kurti letër Abdixhikut: Jemi të interesuar për koalicion me LDK-në

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, i ka dërguar një letër, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në të cilën ka kërkuar koalicion qeverisës.

“Po ju drejtohem me këtë letër meqë nuk u takuam ende. Deputetë të LDK-së së fundmi kanë deklaruar publikisht se për të ecur përpara në legjislaturën e nëntë, fillimisht me konstituimin e Kuvendit, nevojitet marrëveshje politike. Si kryetar i LVV-së dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në”, thuhet në letrën e Kurtit.

“Në sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet”, thuhet tutje në letër.

Kurti pos tjerash ka thënë se LDK njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse: në 2001–2004 me PDK dhe AAK, në 2004–2007 me AAK, në 2008–2010 me PDK, në 2014–2017 sërish me PDK, ndërkaq në 2020 me LVV.

“Mosmarrëveshjet e diferencat që mund të ketë LDK me LVV sot nuk janë më të mëdha sesa që LDK i kishte para koalicioneve të mëhershme kur i bëri ato. Plus, në vitin 2020 ne bashkë kemi qenë kolegë në Kurti 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa të tjerë që nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK si asokohe”, ka thënë pos tjerash Kurti në këtë letër, raporton rtk.

Share This