Kurti: Le ta bëjmë urën e Ibrit simbol të normalizimit
Kryeministri Albin Kurti ka reaguar për protestën e sotme të qytetarëve të komuniteti serb në Mitrovicën e Veriut, ku u kundërshtua hapja e urës së Ibrit. Kurti ka thënë se kësaj ure padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë.
“Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, ka shkruar kryeministri Kurti në Facebook.
Ai ka thënë se protesta e sotme ka përfunduar pa asnjë incident, teksa ka falënderuar institucionet e sigurisë që garantuan mbarëvajtjen e qetë të saj.
“Protestat janë e drejtë demokratike të cilën e gëzojnë dhe mund ta ushtrojnë të gjithë qytetarët e Republikës sonë, pa dallim”, ka thënë Kurti.
Ai tutje ka njoftuar se Komuna e Mitrovicës së Veriut nesër prej orës 11:00, në hapësirat e Kuvendit Komunal, do të organizojë takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale me temën ‘Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile’.
“I ftoj bashkëqytetarët tanë të komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”, ka shtuar Kurti. /rtk/