Kurti kritikon BE-në dhe shpreh ngjashmëri me politikën e Trump
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistën e zhvilluar me prestigjiozen britanike Financial Times, foli edhe për administratën e ardhshme në SHBA.
Ndonëse dihet çfarë raportesh ka pasur Qeveria Kurti 1 me administratën Trump gjatë vitit 2020, Kurti tha se ai është i gatshëm të punojë me këdo, përcjell Gazeta Metro.
Madje, për të shkuar edhe më tej, ai tha se Prishtina ka ngjashmëri me qasjen e administratës potenciale Trump.
“Kurti tha se do të punonte me këdo që do ta merrte Shtëpinë e Bardhë, duke vënë në dukje se Prishtina kishte gjuhë të përbashkët me një administratë potenciale të Trump, duke përfshirë thirrjet për rritjen e shpenzimeve europiane në mbrojtje”, shkruan FT.
Raportet ishin acaruar jashtë mase midis administratës Trump dhe kryeministrit Kurti në fillim të vitit 2020, sidomos në marrëdhëniet mes këtij të fundit dhe të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Aq larg kishte shkuar Kurti atëbotë, në veçanti pas shkarkimit të tij nga Kuvendi i Kosovës, saqë në vjeshtë kishte dalë me thirrje publike që shqiptaro-amerikanët në zgjedhjet e nëntorit 2020 të votonin për kundërkandidatin e ish-presidentit Trump, Joe Biden.