
Kurti: Kosova nuk ka plan B për anëtarësim në BE
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se Kosova nuk ka plan B për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kurti theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të jetë strategjik, i bazuar në merita dhe real. Ai ritheksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO janë qëllime strategjike të Kosovës.
“Ne jemi reformuar, forcuar dhe përafruar me standardet e Bashkimit Evropian”, u shpreh Kurti, duke shtuar se “Kosova ka treguar se është një partnere e besueshme e BE-së dhe beson fuqishëm në të ardhmen e saj evropiane, andaj është koha që BE-ja gjithashtu të tregojë se e sheh Kosovën si pjesë e të ardhmes së saj – gjë që do ta forconte edhe më shumë tej përkushtimin e vendit tonë ndaj agjendës evropiane”, u shpreh Kurti gjatë një diskutimi të organizuar nga Qendra për Studimin e Politikave Evropiane me seli në Bruksel.
Kurti tha se presidenti amerikan Donald Trump po synon përfundimin sa më të shpejtë të luftës në Ukrainë, pasi, sipas tij, të gjithë kohën dhe energjinë e ka përqendruar në një tjetër fushëbetejë – luftën me Kinën.
“Sa herë që thotë diçka për Ukrainën ose Rusinë, ata tashmë janë në atë fjali duke menduar për Republikën Popullore të Kinës. Pra, në këtë aspekt, mendoj se shumë do të vendoset në disa vitet e ardhshme, por çfarë do të ndodhë… atë gjë vërtet nuk e di. Megjithatë, nuk mendoj se brezi ynë mund të dalë me modele më të mira prosperiteti dhe sigurie sesa Bashkimi Evropian dhe NATO, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të domosdoshme. Unë kam qenë gjithmonë kundër amerikanëve anti-evropianë dhe kundër evropianëve anti-amerikanë. Le të shpresojmë se do të kemi racionalitet të mjaftueshëm për të mos harruar kurrë se kush ishte armiku ynë më i madh dhe i përbashkët”, tha Kurti.
I pyetur për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Kurti vlerësoi se situata do të ishte më e favorshme nëse të dyja vendet do të ishin pjesë e Bashkimit Evropian, ose të paktën të përafruara me bllokun evropian. Por ai tërhoqi vërejtjen se Serbia ka një qasje kundërthënëse ndaj të gjithë fqinjëve të saj.
“Mendoj se Serbia ka një pyetje të dyfishtë për veten: cilat janë hapat e saj në shekullin XXI në raport me fqinjët? Sepse kam përshtypjen se disa nga fqinjët që nuk janë në BE, Serbia i njeh de jure, por jo de facto – si Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi. Ndërsa në rastin e Kosovës, kam përshtypjen se e njeh de facto, por jo de jure. Pra, statusi i Serbisë duhet të zgjidhet në këtë shekull dhe zhvillimet sociopolitike të këtyre ditëve në këtë shtet janë vendimtare”, tha më tej Kurti.