
Kurti: Kosova e Kroacia aleatë në rrugën dhe fatin e përbashkët evropian
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka qenë pjesë e ceremonisë që Ambasada e Kroacisë në Kosovë e ka organizuar në Ditën Kombëtare të shtetit kroat.
Kreu në detyrë i Qeverisë ka thënë se dy shtetet, Kosova e Kroacia, janë aleatë në paqe, demokraci, në rrugën dhe fatin e përbashkët evropian.
“Gjithashtu, ai përmendi edhe komunitetin kroat në Kosovë dhe diasporën shqiptare në Kroaci, për të cilat tha se të dyja shërbejnë si ura të respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve tona”, ka bërë të ditur Qeveria në njoftimin zyrtar.
Kurti ka thënë në këtë ceremoni se Kosova dhe Kroacia ndajnë lidhje të thella të historisë, miqësisë dhe vlerave të përbashkëta.
“Kroacia ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Mbështetja juaj – politike, morale dhe praktike – ka qenë e palëkundur që atëherë. Për këtë, ne jemi thellësisht mirënjohës”, ka thënë kryeministri në detyrë.
Ai u ka përcjellë urime krerëve shtetërorë për Ditën Kombëtare të Kroacisë, si dhe qytetarëve të këtij vendi.
Në fund, kryeministri në detyrë ka thënë se së bashku të dy vendet mund të kontribuojnë për një rajon të lirë, demokratik dhe të ankoruar në vlerat euroatlantike, duke shtuar se do të vazhdojnë të thellojnë lidhjet dypalëshe në tregti, arsim, kulturë dhe mbrojtje.