Kurti: Kosova drejt hapjes së fabrikës për prodhim të municionit
Kur Kosova po shënon Ditën e Forcës së Sigurisë, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se kanë ndërmarrë hapa drejt hapjes së fabrikës për prodhim të monicionit si dhe dizajnim të fluturakeve pa pilot.
“Do të themelojmë Komisionin Ndërministror për nisjen e procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e monicionit dhe për laborator për dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Republikën e Kosovës. Një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur si kjo e jona ka nevojë për ta siguruar dhe garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë”, theksoi ai.
Tutje shefi i ekzekutivit tha se mbrojtja ka qenë ndër prioritetet kryesore të tyre.
“Kjo mbledhje e sotme po mbahet me të njëjtën ditë me ditën e ushtrisë. Qeveria jonë ka treguar se mbrojtja ka qenë ndër prioritetet tona kryesore dhe kjo është dëshmuar si me numrin e ushtarëve që është dyfishuar, si me buxhetin për ushtri që është trefishuar”, vijoi kryeministri, raporton rtk.