Kurti: Kosova destinacion lider për investitorët e huaj
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka reaguar lidhur me raportin e ri të ‘fDi Intelligence’, i mundësuar nga ‘Financial Times’, i cili tregon se Kosova renditet e dyta në Evropën në zhvillim dhe e pesta në të gjithë botën për tërheqjen e nivelit më të lartë të investimeve direkte nga jashtë në raport me prodhimin e brendshëm bruto.
Kurti, përmes platformës ‘X’, ka shkruar se kjo është një dëshmi më shumë se progresi demokratik dhe ekonomik në Kosovë ecin paralelisht, duke e bërë vendin tonë një destinacion lider për investitorët e huaj.
“Një raport i ri i ‘fDi Intelligence’, i mundësuar nga Financial Times, tregon se Kosova renditet e dyta në Evropën në zhvillim dhe e pesta në të gjithë botën për tërheqjen e nivelit më të lartë të investimeve direkte nga jashtë (IDJ)në raport me prodhimin e brendshëm bruto (PBB). Për më tepër, ajo renditet e 4-ta në botë për përmirësim nga viti në vit nga viti 2022 në 2023. Një dëshmi më shumë se progresi demokratik dhe ekonomik në Kosovë ecin paralelisht, duke e bërë vendin tonë një destinacion lider për investitorët e huaj”, ka shkruar Kurti, raporton rtk.