Kurti kërkon presion ndaj Serbisë për të zbardhur krimet e luftës

Kurti kërkon presion ndaj Serbisë për të zbardhur krimet e luftës

Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, ka kërkuar që të rritet presioni ndaj Serbisë për hapjen e arkivave dhe zbardhjen e të vërtetës për krimet e luftës të kryera në Kosovë.

Ai theksoi se kjo është e nevojshme për të sjellë drejtësi dhe ndëshkuar përgjegjësit për gjenocidin që ndodhi në Kosovë.

“Është e domosdoshme këmbëngulësia dhe efikasiteti i sistemit tonë të drejtësisë, por gjithashtu edhe mbështetja ndërkombëtare për këto krime të pazbardhura, të cilat kërkojnë përgjigje sa më parë. Sot e gjithnjë u bëj thirrje ndërkombëtarëve që ta rrisin presionin ndaj Serbisë për të vërteten e këtyre krimeve duke hapur arkivat, e për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë e ushtarakë për gjenocidin e kryer në Kosovë”, ka thënë ai, raporton rtk.

Në një postim në Facebook, Kurti përkujtoi masakrën e 27 prillit 1999 në Mejë dhe Korenicë, ku 376 civilë shqiptarë u vranë nga forcat serbe. Trupat e viktimave u fshehën dhe u rivarrosën në disa varreza masive, duke përfshirë Serbinë.

Kurti gjithashtu theksoi tragjedinë e Pashke Krasniqi Markaj, nënës që humbi dy djemtë e saj dhe që dogji veten për të shprehur dhimbjen për humbjen e tyre. Ai nënvizoi se jo vetëm personat e zhdukur, por edhe familjet e tyre, janë viktima të krimit që ende kërkon drejtësi.

Share This