Kurti: Kërkesa për transferimin e të burgosurve në frymën e Marrëveshjes
Katër shtetas të Kosovës, aktualisht, ndodhen në paraburgim në Serbi nën akuzat për krime lufte: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka mbështetur kërkesën e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu për transferimin e tyre në Kosovë. Kurti përmes një postimi në platformën ‘Facebook’, ka thënë se Kosova ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj, raporton rtk.
Tutje tha se institucionet e drejtësisë do të bëjnë trajtim të pavarur e të paanshëm ndaj çdo pretendimi që ngritet ndaj qytetarëve të saj.
“Në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore, sipas Marrëveshjes Bazike për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të shpallur ligjërisht të obligueshme nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ministrja jonë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i është drejtuar ministres së Drejtësisë së Serbisë për transferimin në Republikën e Kosovës të katër të burgosurve shqiptarë në Serbi”, u shpreh Kurti.