
Kurti: Karta Evropiane e të Rinjve paraqet një nga veprimet konkrete në politikën tonë të re për të rinjtë
Nën organizmin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe në bashkëpunim me Shoqatën Evropiane të Kartës Rinore (EYCA), për herë të parë në vendin tonë, po mbahet Konferenca Ndërkombëtare e Shoqatës Evropiane të Kartës për Rini (EYCA).
Në ditën e parë të kësaj konference dyditore dhe në ceremoninë hapëse morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Kryeministri Kurti mbajti fjalë mirëseardhëse. Ai tha se është nder që kjo konferencë po mbahet për herë të parë në shtetin tonë, në kryeqytetin e Republikës ku janë mbledhur mbi 100 pjesëmarrës nga 37 shtete.
“Karta Evropiane e të Rinjve paraqet një nga veprimet konkrete në politikën tonë të re për të rinjtë. Më 9 gusht 2024, hyri në fuqi Ligji i ri për Rininë, duke zëvendësuar ligjin e mëparshëm të vitit 2009 dhe ky ligj i ri i vendos të rinjtë në zemër të prioriteteve të shtetit tonë dhe krijon një kornizë ndërinstitucionale për përfshirjen e të rinjve, veçanërisht në vendimmarrje, si dhe për përmirësimin e mirëqenies së të rinjve në vendin tonë. Deri më tani, janë nxjerrë katër Udhëzime Administrative kryesore, që mbulojnë fushat e Vullnetarizmit Rinor, Këshillave Kombëtare dhe Lokale Rinore, Punës Rinore dhe Arsimit Informal, si dhe Qendrave Rinore”, u shpreh kryeministri.
Ai shto se EYCA ka një mision frymëzues: të forcojë të rinjtë përmes mundësive të vërteta për lëvizje, përvojë dhe përfshirje sociale.
“Shoqata Evropiane e Kartës për Rini nuk është vetëm një kartë që ofron zbritje – por është një mjet për mobilitet, arsim dhe pjesëmarrje aktive, i bazuar mbi një ide të fuqishme: që të rinjtë të kenë mundësi reale, jo vetëm premtime”, u shpreh më tej kryeministri Kurti.
Në përmbyllje të fjalës mirëseardhëse, kryeministri theksoi se përmes kësaj konference, po forcojnë bashkëpunimin midis institucioneve, organizatave dhe aktorëve që kanë ndikim në jetën e të rinjve, duke diskutuar shumë ide të reja, shkëmbyer praktikat më të mira, dhe frymëzuar njëri tjetrin për hartimin e politikave më të drejta edhe më të ndjeshme ndaj të rinjve.
Kosova u bë zyrtarisht anëtare në EYCA në dhjetor të vitit 2023.
Në gjashtë muajt e parë të anëtarësimit të Kosovës në EYCA, gati 8 mijë të rinj janë regjistruar si anëtarë të programit dhe 18 biznese janë përfshirë si partnere të programit.
Përmes kësaj karte, të rinjtë tanë mund të përfitojnë zbritje në transport, arsim, kulturë, sport, akomodim dhe shumë shërbime të tjera, në mbi 35 vende evropiane, me më shumë se 70,000 përfitime të ndryshme.