Kurti ka cenuar marrëdhëniet me partnerët

Kurti ka cenuar marrëdhëniet me partnerët

Për ish-kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, kryeministri aktual Albin Kurti ka cënuar marrëdhëniet e Kosovës me partnerët e saj, veçanërisht me SHBA.

Ai tha për “Ballkan Update” se qasja e Kosovës ka qenë e gabuar, pasi raporti me Uashingtonin ka ngecur.

Sakaq, Hoti ka theksuar se ka munguar koordinimi i qeverisë në shumë çështje dhe në raport me politikën e jashtme kanë degraduar.

“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA në katër vitet e fundit kanë ngecur në plot segmente. Ajo që është e rëndësishme, është që SHBA vazhdojnë të mbeshtesin popullin e Kosovës, ndihmojnë popullin e Kosovës në rrugëtimin tonë euroatlantik. Por marrëdhëniet e rregullta, diplomatike në katër vitet e fundit, midis qeverisë së Kosovës dhe administratës në Uashington kanë ngecur. Është cënuar ai partneriteti i ngushtë që ne si shtet kemi pasur. Ne jemi këtu ku jemi fal mbështetjes madhore nga partnerët tanë dhe në veçanti nga SHBA. Gjatë kësaj periudhe të këtyre viteve, të kësaj qeverisje që është në largim, këto marrëdhënie janë cënuar dhe qeveria ka shumë punë që të rikthejë nivelin e bashkëpunimit ekonomik, diplomatik midis Kosovës dhe SHBA, aty ku ka qenë”.

“Komplet si qasje ka qenë e gabuar, nga ana e Kosovës ndaj SHBA. Ka munguar koordinimi i zakonshëm i qeverisë së Kosovës në çështje të sigurisë, në çështje diplomatike dhe në çështje të tjera me SHBA. Në plot situata, SHBA janë vendosur para aktit të kryer ndaj qeverisë së Kosovës. Mandej, fjalori që është përdorur nga zyrtarë të lartë të qeverisë së Kosovës është i papranueshëm, nuk është etik. Ne kemi pasur një kulturë krejt tjetër politike karshi marrëdhënieve me jashtë dhe sot kemi degraduar në marrëdhënie me jashtë”, u shpreh Hoti.

Share This