
Kurti jep një statistikë për qeverinë e tij: Për 4 vjet i bie që i kemi marrë nga dy vendime e gjysmë në ditë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se gjatë katër vjetëve qeverisje i kanë marrë nga dy vendime e gjysmë në ditë, sipas një përllogaritje që e bëri ai sot gjatë mbledhjes së qeverisë.
“Gjatë këtij mandati, përfshirë edhe vendimet në këtë mbledhje, qeveria jonë i ka miratuar gjithsej 2226 vendime në mandatin e parë të plotë katërvjeçar e që nëse i llogarisim 880 ditë pune i bie nga dy vendime e gjysmë në ditë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka lavdëruar punën e qeverisë së tij, duke thënë se fokusin e kishte në “qeverisjen zhvillimore dhe demokratike”.
“Prej këtyre vendimeve 319 kanë qenë miratime të projektligjeve dhe padyshim që kemi dëshmuar një nivel të lartë të aktivitetit legjislativ dhe ekzekutiv në qeverisjen tonë me një fokus të fortë në zbatimin e politikave dhe qeverisjen zhvillimore dhe demokratike”, ka thënë Kurti.