
Kurti jep dorëheqje nga posti i kryeministrit para betimit si deputet
Albin Kurti ka dhënë dorëheqje nga posti i Kryeministrit. Ai ka dhënë dorëheqje pak orë para betimit si deputet i Kuvendit të Kosovës.
Kjo është bërë e ditur përmes një letre të cilën, Kurti i ka drejtuar Sekretariati të Kuvendit të Kosovës.
Letra e plotë:
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,
Që nga 23 marsi kur përfundoi mandati i plotë katërvjeçar i qeverisjes sonë, qeveria është në detyrë/dorëheqje. Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, me deklaratën që kam dhënë dhe është pranuar në KOZ me datë 27 mars 2025, dhe me qëndrimin tim publik të po asaj dite, efektivisht jam i dorëhequr bashkë me kabinetin qeveritar.
Për qëllim betimin si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të legjislaturës së nëntë, po e përcjell edhe zyrtarisht njoftimin tim për dorëheqje nga posti ekzekutiv, veçse efektiv që nga data e lartcekur sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
Me respekt,
Albin Kurti
Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës