Kurti e nis mbledhjen për Procesin e Berlinit: Jemi mbështetës të palëkundur
Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, e ka nisur mbledhjen e qeverisë duke folur për Procesin e Berlinit, i cili shënoi 10-vjetorin disa ditë më parë.
Gjatë fjalës së tij, Kurti tha se Kosova është e angazhuar shumë që 10 vjet për Procesin e Berlinit në mënyrë që të kurorëzohet suksesshëm.
“Doli të jetë një proces i suksesshëm i cili ka afruar vendet e rajonit me njëra-tjetrën dhe të gjitha së bashku me BE-në. Kemi nënshkruar marrëveshjen e pestë në tri samitet e këtij procesi, ndërkohë paralajmëruam vendimin për t’i dhënë fund pritjes gati dyvjeçare që Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime të nënshkruara poashtu në Berlin më 3 nëntor të vitit 2022 duke ua mundësuar kështu qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës që të udhëtojnë me letërnjoftime në drejtim të Kosovës nga 1 janari i vitit të ardhshëm”, tha kryeministri, njofton Klankosova.tv.
“Nënshkruam marrëveshjen e re për qasjen në arsimin e lartë dhe pranimin për të studiuar në Ballkanin Perëndimor që e nënshkruam në Berlin më 14 tetor është në vazhdimësi të marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave për institucioncet e arsimit të lartë. Një nxënës që sapo ka përfunduar shkollën e mesme apo një student që dëshiron të vijojë studimet master do ta ketë më të lehtë të fillojë studimet në institucionet publike të arsimit të lartë në njërin nga gjashtë vendet e Ballkanit Pernëdimor. Jemi mbështetës të palëkundur dhe anëtar fort aktiv i Procesit të Berlinit”, u shpreh Kurti.
Të gjitha marrëveshjet e nënshkruara dhe deklaratat e miratuara gjatë samitit të Procesit të Berlinit, shefi i qeverisë i publikoi disa ditë më parë në rrjetin social “X”.