
Kurti e mbledh Këshillin e Sigurisë: Serbia po tenton ta sabotojë formimin e institucioneve, Vuçiq po synon ta eksportojë krizën e tij në Kosovë
Këshilli i Sigurisë së Kosovës sot mbajti mbledhje me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ku u raportua dhe diskutua për gjendjen e përgjithshme të siguris,ë me theks të veçantë te planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale nga ana e Serbisë..
Gjatë mbledhjes, u raportua për incidentin e fundit të 1 prillit, ku zyra e Postës së Kosovës në Zveçan u sulmua me dy granata dore, njëra prej të cilave shpërtheu.
“Më 1 prill pas mesnate u sulmua me dy granata dore zyra e Postës së Kosovës në Zveçan, nga të cilat njëra shpërtheu. Zyra e Postës në Zveçan është riparuar plotësisht dhe tani vijon normalisht dhënia e shërbimeve publike atje. Kur kësaj i shtojmë edhe arrestimin e mbrëmshëm të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë, dhe krejt çfarë u është konfiskuar atyre – kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë”, thuhet në njoftim.
Në këtë mbledhje, anëtarët e Këshillit të Sigurisë së Kosovës theksuan se ndërhyrjet e Serbisë janë shtuar edhe në procesin zgjedhor të Kosovës, përfshirë përpjekjet për të sabotuar themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë.
“Në këtë mbledhje u konstatua se përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar “de facto” i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet të nxis tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën.Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë”.
Gjithashtu u tha se Serbia po ushtronë trysni të fortë ndaj serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në tubimin e paralajmëruar të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Beograd.
“ Njëkohësisht, ndaj serbëve të Kosovës, Serbia po ushtron trysni të paparë për pjesëmarrje në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, e që është paralajmëruar për javën që vjen. Regjimi i Vuçiqit po synon eksportim të krizës në Kosovë dhe jo vetëm, teksa vetë ai ndodhet në krizën më të madhe ndonjëherë”.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka falënderuar të gjithë qytetarët për mbështetjen e shtetit tonë dhe të institucioneve të tij.