Kursi i dytë bazik për trajnerët e futsallit, eksperti kroat ndan përvojën e tij me 32 trajnerë kosovarë
Departamenti i Edukimit në Federatën e Futbollit të Kosovës krahas kurseve për trajnerët e futbollit, rëndësi të madhe është duke i kushtuar edhe trajnimit të trajnerëve të futsallit.
Kësisoj, pas kursit të parë bazik me trajnerët e klubeve të Superligës, që u mbajt në tetor të vitit të kaluar në Istog, tash është organizuar kursi bazik treditor edhe me trajnerët e klubeve të Ligës së Parë dhe trajnerë tjerë të interesuar, i cili po mbahet në kryeqytet, e ku janë të përfshirë 32 trajnerë. Edhe këtë herë para pjesëmarrësve po ligjëron instruktori i njohur i UEFA-s, Mićo Martić nga Kroacia, i cili ka përvojë prej dy dekadash në këtë sport.
Martić ka shprehur gëzimin dhe kënaqësinë e tij që është sërish në Kosovë për ta transmetuar përvojën e tij tek trajnerët e rinj.
Ai ka theksuar rëndësinë e këtij kursi për trajnerët dhe ka falënderuar FFK-në dhe shefen e edukimit Sanije Krasniqin për punën e shkëlqyer.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Dëshiroj të falënderoj Federatën e Futbollit të Kosovës për ftesën dhe Sanije (Krasniqin) për punën e mrekullueshme. Ky është kursi i dytë për licencën e trajnerëve të futsallit C, e që do të vijojë me UEFA Futsal B, që është një edukim mjaft serioz. E di që jo të gjithë federatat anëtare të UEFA-s e kanë organizuar këtë edukim. Ky është një hap i rëndësishëm për trajnerët e futsallit në Kosovë, e që e di që janë shumë të apasionuar pas këtij sporti dhe ka shumë cilësi. Trajnerët janë të prirur për t’u përmirësuar dhe për të punuar së bashku, sepse duke punuar bashkërisht gjërat po bëhen më të qarta dhe gjithnjë më të mira. Jam shumë i lumtur të ndaj përvojën time dhe të qëndroj me këta të rinj dhe të shijoj këtë sport të bukur, siç është futsalli. Pas këtij kursi të dytë për Licencën Futsal C, do të keni gati 50 trajnerë të gatshëm për të filluar me kursin e Licencës Futsal B. Më pas, natyrisht Departamenti i Edukimit i Federatës së Futbollit të Kosovës do të vendosë se kush nga këta kandidatë do të shkojë në Futsal B. Besoj se në vjeshtën e këtij viti mund të fillojmë me kursin e parë të Licencës Futsal B”, tha Martić.
“Jemi mjaft të lumtur, sepse në grupin e parë kishim 28 trajnerë dhe tani kemi 32 trajnerë, që do të thotë 60 trajnerë të ri të futsallit, që është një e arritur e jashtëzakonshme për FFK-në dhe për futsallin në Kosovë”, ka thënë Geart Hyseni, nga Komisioni i futsallit në FFK.
“Një seminar të tillë e konsideroj shumë të nevojshëm për përmirësimin e nivelit të futsallit në Ligën e Parë por edhe në përgjithësi të futsallit në vendin tonë. Përvojat dhe njohurit që jemi duke i marrë si në teori si në praktikë nga një njeri me përvojë të madhe si Mićo Martić, do të na shërbejnë shumë në klubet tona, ku e zhvillojmë aktivitetin”, tha Masar Gjaka, trajner pjesëmarrës.
Ky kurs tre ditorë do të përmbyllet nesër, ku trajnerët pjesëmarrës do të certifikohen me licencën C kombëtare për futsall. Ndërkaq, gjatë këtij viti Departamenti i Edukimit në FFK, në bashkëpunim me UEFA-n pritet të fillojë edhe me kursin për Licencën B të UEFA-s për futsall.
Nga afër punimet e këtij kursi po i ndjekin edhe kryetari i Komisionit të Futsallit, Hysni Gjinovci dhe shefja e Departamentit të Edukimit në FFK, Sanije Krasniqi.