Kuqezinjtë u kthehen në stërvitje, grupit i bashkohet edhe Etrit Berisha
Pas sfidës me Kilin, Kombëtarja shqiptare ka vijuar përgatitjet për miqësoren e dytë të marsit ndaj Suedisë.
Kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore paraditen e të shtunës në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës, ndërsa pasdreke janë nisur drejt Suedisë.
“Etrit Berisha ka udhëtuar me ekipin për sfidën ndaj Suedisë. Pas lëndimit të pësuar, gjendja e portierit kuqezi është më e mirë dhe do të monitorohet gjatë gjithë kohës nga stafi mjekësor”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.
Në seancën e sotme sipas këtij njoftimi, lojtarët që u aktivizuan titullarë me Kilin zhvilluan vetëm disa ushtrime fizike dhe pa top. Ndërsa futbollistët që nuk u aktivizuan apo hynë në fushë si zëvendësues bënë stërvitje më të ngarkuar dhe taktike.
Kombëtarja do të mbyllë përgatitjet për sfidën ndaj Suedisë ditën e nesërme, me seancën e fundit stërvitore që do të kryhet në stadiumin e ndeshjes.
Sfida Suedi-Shqipëri do të luhet më datë 25 mars në ora 19:00, në stadiumin “Friends Arena”.