
Kupa e Kosovës rikthehet me dy superpërballje, spikat dueli Drita-Prishtina
Gara e Kupës në futbollin e Kosovës po shkon drejt fundit dhe sot (e mërkurë) dhe nesër (e mërkurë) do të zhvillohen dy ndeshjet e para gjysmëfinale.
Kryesuesja e elitës, Drita, e pret në Gjilan rivalen e vjetër, Prishtinën, me synim që të fitojë me rezultat të mirë dhe në ndeshjen kthyese mos të ketë telashe për ta siguruar kualifikimin në finalen e madhe.
Në anën tjetër, kryeqytetasit kanë bërë ndryshime teknike në shtabin teknik pas rezultateve jo të mira. Në vend të francezit Jean-Michel Cavallin e kanë emëruar trajnerin Arsim Thaqi.
Prishtina pret rezultat pozitiv nga ndeshja e parë dhe në ndeshjen e dytë si vendas të kenë më të lehtë që ta arrijnë synimin, pasi Kupa është rruga më e lehtë për të marrë pjesë në garat evropiane dhe mënyra më e lehtë për të përmbyllur një sezon të suksesshëm për faktin se në elitë janë në pozitën e pestë.
Të enjten zhvillohet gjysmëfinalja tjetër, ku do të përballen Llapi dhe Drenica. Edhe kjo ndeshje fillon nga ora 15:00 derisa është paraparë të zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Llapi ka pasur një edicion jo të mirë për faktin se momentalisht renditet në vendin e parafundit në Superligë dhe trajneri Tahir Batatina ka synime të mëdha në Kupë në mënyrë që të mos ketë një sezon dështues.
Në anën tjetër, Drenica, që bën gara në Ligën e Parë, aktualisht është në vendin e parë dhe ka synime të mëdha edhe në garën e Kupës, ku synon që fillimisht ta kalojë Llapin e më pas të fitojë edhe në finalen e madhe. Me synim për t’i arritur objektivat, skuadra kuqezi e ka rikthyer në krye të shtabit teknik trajnerin me përvojë të madhe, Bylbyl Sokolin.
“Me një histori të pasur në zhvillimin e futbollit dhe drejtimin e skuadrave të njohura, besojmë se përvoja dhe vizioni i Sokolit do të jenë vendimtare për ta ndihmuar klubin t’i arrijë objektivat e tij”, thuhej, ndër të tjera, në njoftimin e skuadrës nga Skenderaj me rastin e rikthimit të Sokolit.
Gjysmëfinalja e Kupës
Të mërkurën takohen:
15:30 Drita – Prishtina
Të enjten takohen:
15:00, Llapi-Drenica