Kukësi, agonia e skuadrës që bëri histori
Pas 12 viteve të suksesshëm në Kategorinë Superiore, Kukësi po përjeton sezonin më të keq dhe vetëm matematika i jep shpresë.
Në këto 12 vjet, skuadra verilindore ka qenë ndoshta më e qëndrueshmja dhe njohu suksese të mëdha, kulmuar me titullin kampion më 2017.
Me 19 pikë pas 24 ndeshjeve, Kukësi po përjeton sezonin më të keq në Kategorinë Superiore, që ku u ngjit për herë të parë në elitën e futbollit shqiptar, më 2012. Rënia duket shumë pranë, ndonëse ka ende shpresë për sa kohë që matematika ia lejon, por edhe në rast mbijetese ky do të mbetet një sezon katastrofik për skuadrën e qytetit verilindor që në pjesën më të madhe të 12 viteve të fundit ka qenë, pa e ekzagjeruar aspak, një nga skuadrat më të mira dhe ndoshta skuadra më e qëndrueshme.
Pa përvojë midis më të mirave të vendit, skuadra debutuese në Kategorinë Superiore në sezonin 2012-2013, i befasoi të gjithë me vendin e dytë, pas Skënderbeut, atëherë skuadra më e mirë e vendit. Rezultat befasues por që do të përsëritej edhe dy herë të tjera radhazi, gjithmonë pas kampionëve korçarë.
Më 2016, një rënie e lehtë, por sërish në podium, pas Skënderbeut e Partizanit, ndërkohë që kompensohet me trofeun e parë në histori, Kupën e Shqipërisë, shoqëruar më pas edhe nga Superkupa.
Viti pasardhës është i paharruar për Kukësin që fiton për herë të parë e të vetme deri tani titullin Kampion i Shqipërisë, nën drejtimin e trajnerit Ernest Gjoka. Në tre sezonet e tjera, sërish tre vende të dyta, pas Skënderbeut, Partizanit e Tiranës, ndërkohë që më 2019 sërish fiton Kupën e Shqipërisë. Janë plot tetë vite në të cilat Kukësi nuk zbret nga treshja e parë, me gjashtë vende të dyta e një të tretë, si dhe me titullin e madh.
Më 2021, nis rënia, me vendin e gjashtë, ndërsa më 2022 ka sërish ngjitje, në vendin e katërt, ndërsa sezonin e kaluar e mbyll në vendin e shtatë. Tani i sheh të gjithë nga poshtë, ndoshta me shpresën se kush prek fundit mundet vetëm të ngjitet lart.