Kuka para Evropianit në Kosovë: Ne nuk flasim për medaljen e artë

Kuka para Evropianit në Kosovë: Ne nuk flasim për medaljen e artë

Nesër prej orës 10:30 do të nis Kampionati Evropian i Hapur në xhudo, që për herë të parë organizohet në Kosovë.

Ekipi i Unionit Evropian të Xhudos (EJU) ka qëndruar në Pejë për stërvitjen e fundit të xhudistëve të Kosovës.

“Trajnimi zgjat pak më pak se 90 minuta, pa shumë sforcim. Një alarm i telefonit celular bie në mënyrë të përsëritur, duke sinjalizuar përfundimin e një stërvitjeje. 12 atletë janë në tapet, plus tre trajnerë përreth. Driton Kuka i ka duart të lidhura, vështrimi i përqendruar. Ai jep komandat. Herë pas here ndërhyn ndihmëstrajnerja Majlinda Kelmendi”, ka shkruar EJU.

Në një intervistë për Unionin Evropian, Driton Kuka ka treguar për përgatitjet për këtë evropian.

“Natyrisht unë jam më i nervozuar se zakonisht. Nuk jam mësuar të jem në shtëpi një ditë para garave të rëndësishme. Familja ime nuk është mësuar po ashtu. Garuesit dhe trajnerët dinë si të më qasen kur jam i stresuar. Është gjë e re për anëtarët e familjes”, ka thënë Kuka.

Ai po ashtu ka folur për arritjet e Kosovës deri më tani.

“Jo keq për një vend me dy milionë banorë. Tani është koha për tjetër gjë të parë: Kampionati i Hapur Evropian do të mbahet në Prishtinë të shtunën prej orës 10:30. Kosova e organizon ngjarjen për herë të parë. 40 garues nga 27 vende do të garojnë për 300 mijë euro sa është fondi shpërblyes. Dy fituesit marrin nga 55 mijë euro”, ka shkruar EJU, raporton lajmi.

Trajneri të shtunën ka kërkuar së paku një medalje.

“Duam të kemi figurë të mirë si nikoqirë. Duam të vlerësohemi mikpritës dhe të sjellshëm. Duam të lëmë përshtypjet më të mira”, ka thënë Kuka, që ka vazhduar.

“Si trajner natyrisht dua që të kemi rezultate të mira nga sportistët tanë. Do të isha shumë i lumtur me një medalje para tifozëve tanë. Ne jemi Kosova, vend i vogël. Nuk mund të fitojmë rregullisht, do të ishte joreale. Nuk do të më dëgjoni kurrë të flas për arin. Nuk është në stilin tim”.

Sot është hedhur edhe shorti, dhe dy kampionet tona olimpike, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, që garojnë në kategorinë -57 kg, mund të përballen mes vete vetëm nëse kualifikohen në finale, natyrisht nëse kalojnë pengesat e mëdha në çerekfinale dhe gjysmëfinale.

Në kategorinë e meshkujve, short më i vështirë është për Akil Gjakovën dhe Dardan Cenën, të cilët për të hyrë në zonën e medaljeve, mund të përballen me medalistë botërorë e olimpikë.

Share This