Kualifikimi nuk është më në dorën e Milanit, ja kombinimi i vetëm që i bën kuqezinjtë të festojnë
Një mbrëmje e hidhur për Milanin, që u mposht në “San Siro” me rezultatin 1-3 nga Borussia Dortmund, duke minimizuar mundësitë e kualifikimit nga grupi.
Me vetëm një ndeshje të mbetur, grupi F kryesohet nga Dortmund me 10 pikë, që ka siguruar edhe kualifikimin, i ndjekur nga PSG me 7 pikë dhe Newcastle e Milan me nga 5 pikë.
Newcastle dhe Milan do të përballen me njëra-tjetrën në ndeshjen e fundit më 13 dhjetor në Angli, megjithatë as fitorja mund të mos u shërbejë kuqezinjve për t’u kualifikuar.
Kjo pasi PSG-së i mjafton një pikë në transfertë ndaj Dortmundit për t’u kualifikuar matematikisht, në rast fitoreje të Milanit në Angli.
Nga ana tjetër, fitorja e mundshme e Newcastle kërcënon jo pak PSG-në, që do të jetë e dënuar të triumfojë në “Signal Iduna Park” për t’u kualifikuar.
Thënë ndryshe, kuqezinjtë e Piolit nuk e kanë më fatin në dorën e tyre, por do të shkojnë në Angli për të fituar, që të sigurojnë minimalisht pjesëmarrjen në Ligën e Europës.
I vetmi kombinim që i kualifikon nga grupet e Champions-it është triumfi në Angli ndaj Newcastle dhe fitorja e Dortmundit në Gjermani ndaj PSG-së. Në këtë rast Milani do të renditej i dyti me 8 pikë. /PS/