Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë: Bashkëpunimi mes dy republikave shqiptare është strategjik

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë: Bashkëpunimi mes dy republikave shqiptare është strategjik

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka mbajtur fjalën e saj në mbledhjen e përbashkët të dy kuvendeve.

Ajo ka thënë se bota duhet të kuptojë që Shqipëria e Kosova janë bashkë.

“Ne që po takohemi jemi pak, duhet të takohemi të gjithë, aq sa jemi, aq sa shqiptarë ka bota, me miliona. Nuk prishin punë, përkundrazi. Nuk prish punë se s’na zë kjo sallë, ka salla ku mundemi me u çmallë e me u taku. Gjakovari ta takojë labin, mitrovicaliu vlonjatin, derisa të dridhet toka në këmbët tona, derisa Adem Jashari të lëviz në varr, derisa bota të kuptojë çfarë mund të bëjmë kur jemi bashkë. Halli është se me arrit deri te super-takimi e hipër-bashkimin, duket herët. Kur nuk ke pulën, duhet me ngrënë shpend tjetër, edhe ky shpend qenka fort i shijshëm”.

“Orientimit tonë të qartë në rrjedhat e reja i përgjigjet ky takim i sotëm, që dikton energji të reja. Përfarimin dhe modernizimin e shoqërive tona. Marrëveshja mes dy kuvendeve u ka dhënë shtytje bashkëpunimit mes qeverive e afrimit të njerëzve tanë. Bashkëpunimi mes dy republikave shqiptare është strategjik, Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë, Shqipëria është prioritet kombëtar i Kosovës. Shqipëria ka mbërritur në dyert e BE-së pas një rrugëtimi sfilitës, si vend kandidat me shpejtësinë më të madhe integruese, Shqipëria e ka merituar më tepër se çdo vend tjetër anëtarësimin në BE”.

“Herët a vonë është e qartë se Kosova do të jetë edhe një flamur më shumë në selinë e OKB-së, dhe një yll më shumë në flamurin evropian. Shqipëria ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë Kosovën në Këshillin e Evropës, besojmë se pranimi si anëtari i 47 është vetëm çështje kohe e do të ndodh shpejt”, ka thënë ajo.

Më tutje, ajo ka thënë se Kosova e Serbia duhet të përfundojnë dialogun me njohje reciproke.

“Mbështesim planet e Kosovës për garantimin e ligjit në çdo hapësirë, në partneritet të ngushtë me partnerët tanë. I dënon frymëzimet nacionaliste që kërkojnë ta mbajnë veriun peng të maktheve, Shqipëria e Kosova, do të duhej të jenë të përqendruara për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi e Preshevë”, ka thënë Spiropali.

Share This