Kryeprokurori i Speciales: Kemi ngritur akuza në raste të profilit të lartë, raste të tjera janë në proces

Kryeprokurori i Speciales: Kemi ngritur akuza në raste të profilit të lartë, raste të tjera janë në proces

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë se kanë qenë të “palëkundur” në punën e bërë këtë vit.

Duke folur për punën e Prokurorisë, ai është ndalur tek angazhimi konkret i këtij organi të ndjekjes.

Bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë, Isufaj ka thënë se “ka qenë një shtyllë themelore” në punën e Prokurorisë Speciale sivjet.

Isufaj ka kujtuar se gjatë këtij viti janë ndjekur me akuza raste të profilit të lartë, ndërsa ka paralajmëruar se raste të tjera janë “në proces”.

“Gjatë këtij viti kemi ngritur akuza në disa raste të profilit të lartë, duke dëshmuar që askush nuk është mbi ligjin dhe njëkohësisht kemi në proces edhe raste të tjera të nivelit të tillë të cilat janë duke u trajtuar me profesionalizëm dhe seriozitet të lartë”, ka thënë kryeprokurori i Speciales.

Ai ka thënë se synimi i Prokurorisë Speciale është promovimi i barazisë para ligjit dhe të sigurojnë që “secili qytetar i Kosovës të ndihet i barabartë para ligjit”.

“Puna jonë këtë vit ka qenë në harmoni me prioritetet e shprehura në raportet dhe rekomandimet ndërkombëtare”,ka thënë Isufaj.

Për vitin e ardhshëm, Isufaj ka përmendur synime dhe objektiva “të qarta” për ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve të luftës dhe terrorizmit “duke përfshirë hetime proaktive dhe bashkëpunim ndërinstitucional më të efektshëm”.

Kryeprokurori i Speciales ka premtuar luftë “të pakomromis” ndaj “të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin, pa dallim, pa marrë parasysh pozitën, rolin që kanë në pushtet apo jashtë tij”.

Share This