
Kryediplomatja e BE takime të ndara me Begajn, Ramën, Hasanin e Vengun
Në kuadër të vizitës në Tiranë, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas do të pritet mëngjesin e kësaj të marte (8 prill) në një takim nga Presidenti Bajram Begaj.
Pas bisedimeve me kreun e shtetit, Kallas do të vijojë në orën 10:00 në selinë e qeverisë, ku do të takohet me Kryeministrin Edi Rama me të cilin pritet të nënshkruajë marrëveshjen për mbështetjen e Koridorit të 8-të.
Rreth orës 10:30, Kallas dhe Kryeministri Edi Rama do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Ndalesa e Kaja Kallas do të vijojë në Ministrinë e Jashtme ku do të ketë një takim kokë më kokë me Ministrin Hasani dhe më pas me Ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu.
Sipas gazetares Denada Shkodrani, Kallas, gjatë qëndrimit në Tiranë, do të vizitojë dhe “Europa House” ku do të jetë në një panel mbi rolin e Ballkanit Perëndimor dhe të rinjve në integrimin evropian.
Përfaqësuesja më e lartë evropiane largohet nga Tirana pasditen e 8 prillit me mesazhe të rëndësishme për bashkëpunimin me vendin tonë në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe mbështetjen për integrimin evropian, raporton rtsh.