Krimet e luftës, Çeku: Do të vazhdojmë betejën për dëmshpërblim nga Serbia
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka dorëzuar sot raportin e dokumentimit mbi krimet e luftës në Kosovë, Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës.
Ky raport është rezultat i punës së Komisionit shtetëror të formuar nga qeveria për të hetuar dhe dokumentuar krimet e kryera gjatë luftës.
Në një postim në “Facebook”, ministri Çeku ka theksuar vendosmërinë për të vazhduar betejën për drejtësi dhe dëmshpërblim ndaj Serbisë.
Ai ka vënë theksin mbi dëmet që trashëgimia kulturore e Kosovës ka pësuar si pasojë e “projektit gjenocidal serb”, duke e cilësuar këtë si një akt kulturocidi me pasoja tronditëse.
“Gjatë luftës, krahas krimeve të shumta të luftës, projekti gjenocidal serb kishte shënjestruar edhe trashëgiminë kulturore të Kosovës. Kulturocidi serb në Kosovë ishte me pasoja tronditëse. 1784 monumente të shkatërruara, 3724 artifakte të grabitura, 175 biblioteka të shkatërruara, 1.7 milion libra shqip të asgjësuar, dhjetëra mijëra dokumente arkivore të monumenteve të grabitura, qindra vepra arti të dëmtuara e vjedhura. Raportin e dokumentimit me këto të gjetura dhe rekomandimet për veprimet e mëtejme ia dorëzuam Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës. Raporti është rezultat i punës së Komisionit shtetëror të emëruar nga Qeveria, me anëtarë nga institucionet shtetërore dhe profesionale. Nuk do të ndalemi për asnjë moment në betejën tonë për drejtësi e dëmshpërblim karshi Serbisë”, ka shkruar Çeku.