“Krenar për kapitenin tonë”, Grasshoppers rinovon me Abrashin: Shembull si lojtar dhe njeri!
Amir Abrashi do të vijojë karrierën me klubin e Grasshoppers përtej vitit 2024.
Zvicerianët njoftuan se kanë rinovuar kontratën deri në verën e vitit 2025 me futbollistin e kombëtares teksa e cilësojnë si një element tejet të rëndësishëm për skuadrën, aq më tepër kur në këtë sezon, mesfushori ka gjetur vazhdimësinë dhe ka lënë pas problemet fizike.
Në fjalët e para pas rinovimit të kontratës, 33-vjeçari është shprehur mjaft i lumtur.
“Për mua nuk ka skuadër tjetër, këtu te Grasshopers kam mësuar, kam fituar shumë eksperiencë dhe jam zhvilluar shumë”, u shpreh Abrashi.
Ndër të tjera, edhe drejtori sportiv i zvicerianëve, Bernt Haas nuk e fshehu entuziazmin për rinovimin me kapitenin e skuadrës.
“Abrashi e ka vërtetuar në fushë se këtë sezon ka qenë një lojtar vendimtar për skuadrën. Një faktor shumë i rëndësishëm edhe për integrimin e lojtarëve të rinj që janë afruar. Sigurisht, të gjithë e vlerësojmë edhe për grintën që shfaq në fushë, ka një pasion si askush tjetër. Abrashi është model, jo vetëm si futbollist, por edhe si njeri. Një kapiten shumë profesionist. Jemi krenar që e kemi pjesë të skuadrës”, u shpreh Haas.
Në këtë sezon, Abrashi është aktivizuar në 23 ndeshje të kampionatit duke asistuar edhe në dy raste. Mesfushori i kombëtares u bashkua me Grasshopers në vitin 2021 nga Freiburg ndërsa ka qenë pjesë e zvicerianëve edhe në të kaluarën, në vitin 2010 dhe vitin 2015.