
Krasniqi: Vetëvendosje po tenton ta mbajë pushtetin në mënyrë të paligjshme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas dështimit për herë të dhjetë të konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, e ka akuzuar Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen se po tentojnë të mbajnë pushtetin në mënyrë të paligjshme dhe jokushtetuese.
“Sot është hera e dhjetë që mblidhemi dhe asnjëherë nuk është lehtë të dalim para juve për të konstatuar një gjendje të papranueshme, një gjendjeqë vërtetë qytetarët e Kosovës as nuk kanë votuar e as nuk e kanë pritur. Pra një tentim për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht, në mënyrë të paligjshme, jokushtetuese, në mënyrë të dhunshme sepse mentaliteti i diktatit është mentaliteti i ish-qeverisë, e cila nuk e ka marrë besimin qytetarë por nuk po pajtohet me verdiktin që ia kanë dhënë qytetarët”, tha Krasniqi.
Sipas kreut të PDK-së, në mungesë të shumicës parlamentare “Albin Kurti dhe LVV edhe sot për të dhjetën herë me radhë tentuan që në forma të paligjshme, jo kushtetuese, fatkeqësisht duke e keqpërdorur në mënyrën më eklatante një njeri të moshuar që është deputet i Kosovës, z. Dehari”.
“Edhe sot tentuan që të imponojnë vullnetin e tyre duke e shkelur Kushtetutën hapur. Qytetarët nuk na kanë votuar as për ta shkelur ligjin e as Kushtetutën, na kanë votuar për t’i dhënë vendit institucione. Ua përkujtoj e ua përsëris, as herën e parë, as herën e dhjetë, e as herën e 100-të nuk kalon Albulena Haxhiu sepse nuk e meriton ky kuvend ta ketë në krye një figurë të tillë. Ne pavarësisht sjelljeve të tyre, qëllimet dhe interesat e qytetarëve i kemi prioritet. Andaj i ftojmë që ta ndërrojnë kandidatin dhe të sjellin një propozim i cili vërtet mund të jetë rrugëdalje, që mund të marrë shumicën e votave të deputetëve – ta konstituojmë kuvendin dhe t’i hapim rrugë afateve kushtetuese për formimin e qeverisë”, shtoi ai, raporton RTK.
Tutje Krasniqi ka thënë se Albin Kurti nuk ka vota për t’u bërë kryeministër dhe kjo është arsyeja themelore, sipas tij, pse ai po e mban peng shtetin dhe kuvendin.
“Sepse përndryshe i bie që më e rëndësishme është Albulena Haxhiu se sa 966 mijë votues të Republikës së Kosovës, që e kanë dhënë verdiktin e tyre, e që ai është që të ketë një zgjidhje tjetër”, tha Krasniqi.