
Krasniqi: Nuk do të lejojmë që të fillojë legjislatura e re me shkelje të Kushtetutës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është deklaruar pasi ka dështuar të bëhet konstituimi i Kuvendit.
Krasniqi para mediave deklaroi se është e paprecedentë situata që ka krijuar Lëvizja Vetëvendosje.
“Vetë e kanë miratuar ligjin pa votat tona, edhe në atë ligj e kanë shkruar vetë se nuk mundet kryeministri dhe ministrat e ekzekutivit me u betu si deputet, është çështje shumë e thjeshtë. Logjika e tyre me shkel Kushtetutën me çdo kusht është logjikë që nuk mundet me kalu në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka deklaruar tutje se LVV që katër vjet ka shkelur Kushtetutën.
“Nuk do të lejojmë të fillojë legjislatura e re me shkelje të Kushtetutës”, u shpreh ai.
Ndryshe, kryesuesi i seancës së Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari ka ndërprerë seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.