
Krasniqi në Skenderaj: Mungesa e Thaçit, padrejtësi e madhe
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, së bashku me bashkëpartiakë, ka bërë homazhe pranë arkivolit të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili ka ndërruar jetë më 16 mars.
Pas homazheve, Krasniqi është shprehur se ndarja nga jeta e Haxhi Thaçit është një humbje e madhe, e cila bëhet edhe më e dhimbshme për shkak të mungesës së ish-presidentit Thaçi.
Ai ka thënë se mungesa e tij është një padrejtësi e madhe dhe një dhimbje e shtuar për familjen në këtë moment të rëndë.
“Sot jam këtu bashkë me kolegë nga PDK, si dhe me qytetarë nga mbarë vendi, për të shprehur respektin tonë të fundit para përcjelljes në botën e amshueshme të Haxhi Thaçit, babait të presidentit Hashim Thaçi. Kjo është një humbje e rëndë, e cila bëhet edhe më e dhimbshme për shkak të mungesës së presidentit Thaçi, i cili nuk u lejua të marrë pjesë në varrimin e babait të tij. Së paku në momentet e fundit, ai pati mundësinë ta shihte edhe një herë, por besoj se mungesa e tij sot këtu është krejtësisht e padrejtë, e paarsyeshme dhe e papranueshme”, ka thënë ai.