
Krasniqi: LVV të tërhiqet nga ky mentalitet bllokues
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas mbylljes së seancës tha se krejt kjo po ndodh për shkak të `tekeve` të LVV-së.
“Nëse këta nuk e kanë shumicën parlamentare nuk kanë të drejtë’, tha ai
Krasniqi shtoi se insistimi arbitrar i LVV-së për Albulena Haxhiun po e pa mundëson që të lëvizim nga ky pozicion.
“Demokracia është verdikti i shumicës, nëse këta nuk e kanë shumicën parlamentare nuk mund ta imponojnë vullnetin e tyre me zor”, tha Krasniqi, raporton rtk.
Krasniqi ftoi LVV-në të ndërrojë kandidaten dhe të kërkojë një kandidat që merr besimin e shumicës së parlamentit, sepse sipas tij është e papranueshme dhe dëmtuese për vendin. “Qytetarët presin që ne t’i kryejmë detyrat të cilat na i kanë ngarku si deputet, që të punojmë për interesin e vendit tone”, tha ai.
Krasniqi u shpreh se me të vërtetë është turp me e mbajt vendin në këtë situatë. Tutje Krasniqi tha se rruga e vetme e shpëtimit është të tërhiqen nga ky mentalitet bllokues dhe të vinë me propozime tjera.
Krasniqi deklaroi se nëse vazhdon kjo bllokadë më mirë është që të shkohet në zgjedhje.
“Edhe për me mbërri në zgjedhje duhet me pas një procedurë kushtetuese, duhet me pas një diskutim, duhet me pas një proces”, tha ai.
Nëse kjo është zgjidhja e vetme e mundshme Krasniqi tha se PDK është e gatshme qysh sot me diskutua për një rrugë të tillë dhe me u dakordua për një datë që sa më shpejtë të jetë e mundur