
Krasniqi kritikon Qeverinë për heshtjen ndaj arrestimit të ish-policit: Kur ju duhen i ngjisin në qiell
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kritikuar ashpër Qeverinë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti për mungesën e reagimit institucional ndaj arrestimit të ish-policit të Njësisë Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiut, nga autoritetet serbe.\
Gjatë një deklarate për mediat, Krasniqi e ka quajtur ndalimin e Spahiut si arbitrar dhe të padrejtë, ndërsa theksoi se ajo që e shqetëson edhe më shumë është heshtja e Qeverisë së Kosovës.
“Të shpreh keqardhjen dhe indinjatën e kundërshtimin e madh për ndalimin arbitrar dhe të padrejtë të ish policit të Kosovës, Arbnor Spahiut, i cili po mbahet nga regjimi serb në mënyrë të padrejtë. Por më shumë të shprehë pakënaqësi me mosreagimin institucional, me mosreagimin e Qeverisë së Kosovës, e cila ende asnjë fjalë të vetme nuk e ka thënë. Kur ju duhen me gojën plotë i ngrisin në qiell me lëvdata meritore, ndërsa tani nuk e thonë asnjë fjalë së paku me i ngushëllua familjarët e tyre. Qeveria do të duhej që aktivisht të merreshin me lirimin sa më të shpejt të Arbnor Spahiut. Thërras edhe bashkësinë ndërkombëtare që të ndërhyjnë që të ushtrojnë presionin e tyre për të liruar këtë djalë të Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi, përcjellë Sinjali.
Ai i ka bërë thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare që të veprojë menjëherë për të siguruar lirimin e Spahiut, duke e cilësuar këtë si një çështje urgjente dhe me rëndësi të lartë për Kosovën.